U.d. kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari shpreson se në këtë përbërje parlamentare do të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe se do të kalojë kërkesa e tyre që nga Kushtetuta të hiqet formulimi “gjuhë tjetër që e flasin 20 për qind të popullatës”.
“Mendoj se kjo çështje tanimë është absolvuar dhe se ka disponim të mirë edhe te partitë maqedonase, edhe te ato shqiptare. Mendoj se ekziston konsenzus për këtë. Nuk është dinjitoze për cilëndo gjuhë të qëndrojë 20 për qind. Mendoj se është dinjitoze të qëndrojë gjuhë maqedonase dhe shqipe”, tha Taravari në emisionin “Samo intervju” në televizionin Kanal 5.
Nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese, sipas Tarvarit, të pashmangshme janë zgjedhje të parakohshme parlamenare.
Sipas tij, ndoshta duhet të mendohet edhe për kushtetutë të re funksionale, pasi ajo aktuale, siç tha, është e “arnuar”.
“Bukur është të mendojmë ndoshta edhe për kushtetutë të re funksionale. Kushtetuta e jonë, për fat të keq, është kushtetutë e arnuar. Non stop ka ndryshuar siç ka evaluar shteti”, tha Taravari.
Për balanserin thotë se janë të gatshëm të bisedojnë, por nuk duhet të miratohet ligj i ri për përfaqësim të drejtë.