Sundimi i ligjit/ Ja ku radhitet Maqedonia e Veriut!

0
8

Maqedonia e Veriut gjendet në vendin e 63-të sipas “Indeksit të sundimit të ligjit” të organizatës joqeveritare me bazë në Uashington, World Justice Project. Në raportin e publikuar sot theksohet se Danimarka i prinë listës, përderisa në kuadër të Bashkimit Evropian, Bullgaria dhe Hungaria renditen më të poshtë kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit.

Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në renditjen më mirë është Kosova (57), pastaj Maqedonia e Veriut (e 63-ta, në listën e vitit të kaluar e 64-ta) dhe Bosnja e Hercegovina (70). Mali i Zi nuk përmendet në listë. Serbia e cila ka shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar këtë vit është në vendin e 83-të, derisa Shqipëria në vendin e 87-të nga gjithsej 140 vendet e ranguara.

Që nga viti 2009, Indeksi i Organizatës joqeveritare në Uashington “World Justice Project” e mat zhvillimin e sundimit të së drejtës, bazuar në tetë faktorë: Kufizimi i kompetencave qeveritare, mungesa e korrupsionit, qeverisja e hapur, të drejtat themelore, rendi dhe siguria, zbatimi rregullator, drejtësia civile dhe drejtësia penale. Për Indeksin e sundimit të së drejtës gjatë këtij viti janë anketuar më shumë se 154.000 amvisëri dhe 3.600 ekspertë ligjorë.

Si shembuj të sundimit të së drejtës shquhen Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Holanda. Ata zënë pesë vendet e para në rangimin e sundimit të së drejtës. Gjermania është në vendin e gjashtë, sepse nuk ka marrë notat më të mira për transparencën e aktiviteteve qeveritare dhe administrative. Mes tjerash për shkak se shërbimet nuk janë mjaftueshëm të kapshme për gazetarët.

Në kuadër të Bashkimit Evropian, Hungaria dhe Bullgaria kanë rejtingun më të ulët – në vendin e 73-të dhe të 60-të, Kroacia në vendin e 47-të dhe Sllovenia në vendin e 31-të.

Në fund të listës janë Haiti, Republika Demokratike e Kongos, Afganistani, Kamboxhia, ndërsa në vendin e fundit është Venezuela. Të drejtat themelore, si liria e shprehjes nuk mbrohen mjaftueshëm në ato vende. Gjithashtu, puna e qeverisë nuk është nën kontrollin e duhur.