Platforma e quajtur “Конзерватив.мк” ka njoftuar mbrëmë në profilin e saj në Facebook se anëtari dhe aktivisti i saj, Nikolla Nikolovski është personi i arrestuar për lidhje të dyshuar me kërcënimet me bombë që iu bënë disa shkollave të mesme në kryeqytet, por siç thonë nga kjo platformë, ai është arrestuar padrejtësisht.
Pas marrjes në pyetje, policia e ka liruar të ndaluarin.
“Në koordinim me prokurorinë publike, është bërë bastisje në shtëpinë e N.N., i cili është ndaluar dje për shkak të ekzistimit të dyshimit në lidhje me kërcënimet për vendosjen e bombave në shkollat e mesme në Shkup”- njoftoi Ministria e Brendshme.
Nga shtëpia e tij janë marrë materiale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit, shtoi policia.
Në përshkrimin e punës së platformës “Конзерватив.мк”, të publikuar në faqen e tyre, thuhet se angazhimet kryesore të së cilës janë demokracia, tregu i lirë, mjedisi i shëndetshëm, konservatorizmi si ideologji dhe liberalizmi klasik.
Në profilin e Facebook-ut të platformës, ndër të tjera mund të shihni postime të disa muajve më parë ku i bëhet thirrje Qeverisë që të refuzojë propozimin francez dhe të mbështesë protestën e organizuar nga VMRO-DPMNE më 5 korrik.