Partitë shqiptare për iniciativën e BESËS në lidhje me tryezën e liderëve

0
6

Lëvizja Besa në mbledhjen e fundit të Kryesisë Qendrore solli vendimin për të autorizuar kreun e partisë që të organizojë tryezë me partitë politike shqiptare ku do të bisedohet për procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe kushtet e partive në rast të hapjes së Kushtetutës.

Nga kjo parti një ditë më parë informuan se do të dërgojnë ftesë deri tek të gjitha subjektet politike shqiptare.

Gjatë ditës së sotme, monitori.mk ka kontaktuar me partitë politike.

I pyetur se si e vlerësojnë iniciativën e Lëvizjes Besa për takimin e liderëve, nga Partia Demokratike Shqiptare u shprehën:

“Sa i përket iniciativës për ndryshimet kushtetuese duhet të ceket se ne jemi iniciatorë të këtyre ndryshimeve kurse ASH dhe Besa tentojnë që ta përvetsojnë dhe kopjojnë këtë iniciativë” – deklaruan nga shërbimi për informim i kësaj partie, pa mos e bërë të qartë nëse PDSH do të jetë apo jo pjesë e tryezës së përbashkët.

Ndërkaq nga Aleanca për Shqiptarët u shprehën se janë të angazhuar dhe do të angazhohen edhe në të ardhmen për të zgjidhur dhe hequr siç shprehen, këtë narativ fyes për Shqiptarët.

“Ne, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi bashkëpunues me të gjithë partitë politike me të vetmin qëllim, zgjidhjen e këtij problemi. U.D. Kryetar i ASH-së, Arben Taravari ju ka bërë thirrje të gjitha partive që të ulemi dhe ne jemi të gatshëm të ulemi një ditë e më parë, kur të jenë gati të gjithë”- deklarojnë për monitori.mk nga Aleanca për Shqiptarët.