Dubai njihet në mbarë botën si një qendër e shkëlqyer dhe e lavdishme e kapitalizmit: vend i mrekullive të rrokaqiejve të lartë, hoteleve luksoze dhe të qendrave fantastike tregtare. Por një nga atraksionet e reja më emocionuese – Biblioteka Mohammed Bin Rashid, e cila u hap në muajin qershor – është një oazë e bukur dhe e qetë, ku vizitorët mund të lexojnë një libër të mirë, të studiojnë përmes laptopëve ose të mrekullohen me dorëshkrimet e rralla dhe librat e botimit të parë të ekspozuara në hapësirën e katit të shtatë.
Hyrja është falas për të gjithë, vendasit dhe turistët, por hyrja vetëm duhet të rezervohet paraprakisht, raporton CNN. Duke u bashkuar me panteonët e depove të librave të klasit botëror, krahas Bibliotekës Britanike në Londër dhe Bibliotekës së Aleksandrisë në Egjipt, Dubai ka edhe një bibliotekë që thuhet se ka kushtuar një miliard dirham, gjegjësisht rreth 272 milionë dollarë (270 milionë euro), transmeton Telegrafi.
Ajo është emëruar sipas Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, sundimtar i Dubait, i cili njoftoi ndërtimin e bibliotekës së re në vitin 2016. Dhe me më shumë se 1.1 milion libra të shtypur dhe dixhital janë të vendosur në objektin prej 54 mijë metrash katrorë ndërsa shpreson të tërheqë shumë turistë dhe lexues.
E vendosur në përroin e Dubait në Al Jaddaf, pranë kantiereve detare ku artizanët kanë bërë me dorë veglat tradicionale prej druri për dekada, ndërtesa e mrekullueshme duket si një libër i hapur, por në fakt është frymëzuar nga një pjesë e “rehl” që përdoret për të mbajtur Kuranin e Shenjtë.
Objekti është shtëpia e nëntë bibliotekave të veçanta, të dedikuara për gjithçka, nga media dhe arti te titujt e biznesit, periodikët ndërkombëtarë, hartat dhe atlaset, librat për fëmijë dhe të rinjtë si dhe një koleksion thesaresh të çmuara arkivore. Koleksioni i veprave është ende duke u ndërtuar, por tashmë mburret me disa shifra mbresëlënëse. Krahas librave shumëgjuhëshe të printuar dhe dixhitalë, vizitorët mund të kenë qasje në më shumë se gjashtë milionë disertacione, 73,000 partitura muzikore, 75,000 video, 35,000 revista ndërkombëtare të shtypura dhe dixhitale dhe mbi 5,000 periodikë historik që përfshijnë 325 vjet.
Ndërsa kur keni nevojë për një pushim nga gjithë ai mësim, ka edhe një kafene.
Lexuesit e pasionuar mund të kalojnë për orë të tëra duke shfletuar librat dhe revistat. Por, kur krahasohet me grupin e pamjeve superlative të qytetit, a mund të “sfidohet” pjesa tjetër e Dubait? Jamal Al Shehhi, autor nga Emiratet, botues dhe anëtar i bordit të bibliotekës së re, mendon se po. “Shumë njerëzve u pëlqejnë qendrat tregtare, por shumë njerëzve gjithashtu u pëlqejnë librat”, thotë ai.
“Dubai njihet si një qendër për biznesin, tregtinë dhe turizmin, por tani kjo ndërtesë ikonë po jep mesazhin se sfondi kulturor ekziston në Dubai dhe nuk ka asgjë më të mirë se librat për të dhënë këtë mesazh”, shtoi ai.
Gjatë një vizite të së enjtes në mëngjes, biblioteka nuk është saktësisht e mbushur, por nuk është as bosh. Selfie po bëhen duke pasur në sfond muret e mëdha – dhe jashtëzakonisht fotogjenike – të librave në hollin e mbushur me dritë. Njerëzit enden nëpër hapësira. Stafi përgatitet për një ngjarje që do të zhvillohet gjatë ditës, një nga shumë që janë të hapura për publikun për t’u dhënë atyre që mund të mos jenë frekuentues të bibliotekës një arsye për të eksploruar objektin, tha ai. Në katin e parë, Biblioteka e Fëmijëve, e krijuar për 5 deri në 11 vjeç, tashmë është një hit. Kur e vizitoni, do ta takoni një robot tregimtar humanoid, i cili do tu thotë, “Ne jemi zyrtarisht miq!”.
Me sy të bukur dhe zë mbresëlënës, robotin e bëjnë një transmetues magjepsës dhe janë vetëm disa nga karakteristikat e shumta këtu – së bashku me vendet për rrëshqitjet, rrjetat e ngjitjes dhe tendat – të vendosura për t’u provuar fëmijëve se leximi nuk është i mërzitshëm. Por, ka edhe libra të tjerë magjepsës.
Rreth 17,000 tituj aktualisht mbushin raftet vetëm në këtë bibliotekë.
Nga vajza e vogël e vendosur në një qoshe rrethore leximi, e mahnitur nga libri në duar e deri tek djali i ulur me nënën e tij, duke përdorur gishtin për të shqiptuar fjalët në faqet e bëra prej letre të vërtetë, është një skenë inkurajuese. Dhe është edhe më shumë kur vëreni se rafti i iPad-ëve, i vendosur për ata të cilët një libër letre është një hap shumë larg, mbetet plotësisht i paprekur.