Babai i infermieres që e sulmoi fizikisht të moshuarën në Pejë, Naim Pelaj, ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë të merren me rastin në fjalë
Ai, ekskluzivisht për Klan Kosovën, i kërkoi falje publike popullit shqiptar dhe familjes së të moshuarës Nura nga Gjakova.
“Në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat për të cilat e ngarkojnë”, ka thënë Pelaj për Klan Kosovën.
Reagimi i plotë:
Babai i vajzës Naim Pelaj, kërkon i kërkon falje publike familjes Nura nga Gjakova.
Të nderuar qytetarë të Pejës dhe të gjithë ju anembanë botës që sot jeni shqetësuar nga veprimet skandaloze të vajzës sonë ndaj një nëne e cila ishte strehuar në shtëpinë “Orenda” në Pejë.
Ai veprim dhe ato skena na kanë goditur rëndë si familje. E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin qe ju ka shkaktuar vajza jonë.
E di që po kaloni momente të rënda por na lejoni qe t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë. Gjithashtu, në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat për të cilat e ngarkojnë.